Rama ultimatum kryebashkiakëve për mbeturinat: Gjeni zgjidhje të menjëhershme ndryshe do përgjigjeni!

Rama ultimatum kryebashkiakëve për mbeturinat: Gjeni zgjidhje të menjëhershme ndryshe do përgjigjeni!

Gjatë mbledhjes së mbajtur këtë të premte me kryebashkiakët dhe prefektët, Kryeministri Rama me tone të larta tha se asnjë vend depozitim i paligjshëm nuk do të tolerohet dhe nëse shihen parregullsi do të sanksionohen bashkitë dhe buxheti i bashkive!

Madje, më tej Rama shton se do të shkohet deri aty sa qeveria do të marrë në administrim bashkinë dhe kjo parashikohet në ligj. Kreu i qeverisë shton se nëse ndodh kjo gjë kryetari i bashkisë së bashku me gjithë punëtorët e tjerë do të japin llogari!

“Është e paimagjinueshme dhe për ta thënë fjalën e fundit, kjo bisedë s’do bëhej para disa vitesh sepse do na mungonin pikat fundore, sot i keni këto pika dhe duhet të merrni masa që të gjitha mbetjet të shkojnë në pikat fundore. Asnjëlloj vend depozitimesh i paligjshëm nuk do të tolerohet, do të sanksionohen bashkitë dhe buxheti i bashkive, do të shkohet deri në marrjen në administrim të bashkisë, e merr qeveria në administrim bashkinë. Nëse shkojmë në atë pikë kryetari i bashkisë bashkë me gjithë të tjerët do të shkojnë të përgjigjen për gjithë këtë gjënë, shpresoj që s’do të jetë nevoja të shkojmë në atë pikë”, u shpreh Rama.

Kryeministri solli në vëmendje shembullin e suksesshëm të bashkisë Lezhë në menaxhimin e mbetjeve.

“Shkoni në Lezhë dhe shikoni plazhin, qytetin, zonat rurale dhe shkoni gjejeni një vend depozitimi ilegal apo pirgje që rrinë aty me javë. Shkoni edhe kur është sezoni turistik që shumëfishohen nevojat dhe jo buxheti. Bëni një xhiro në rërë dhe gjeni një copë letër. Ky është vullneti dhe miradministrimi. Nuk është rastësi që bashkia e Lezhës ka buxhetin më të madh të vendosur nga vetja, e ka ndarë mënjanë një buxhet që i përgjigjet nevojave për pastrimin”, tha Rama.

E njëjta situatë, sipas tij, “është edhe në Korçë. Asnjë bashki nuk i hedh në buzë të lumit si bashkitë e Elbasanit, Durrësit apo Kamzës, që ka krijuar një destinacion allasoj atje dhe vetëm emri i mungon. Zakoni shumëvjeçar i faturimit fiktiv të tonelatave nuk ëshë zhdukur nga territori i Shqipërisë me venddepozitime ilegale politike për interesa personash”, shtoi Rama.

Rama tha se qeveria ka bërë investimet më të mëdha që janë bërë ndonjeherë, si për menaxhimin e mbetjeve, edhe për ujin. “800 milionë euro ka investuar kjo qeveri bashkë me donatorët dhe vijojnë humbjet në rrjet e trajtimi i sektorit të ujit si sektor punësimi në ndërmarrje të mbingarkuara me njerëz që marrin rroga kot, ndërkohë që çdo vit rritet borxhi i bashkive. Është bërë rutinë kjo temë”, shtoi ai.

Duke u ndalur sërish te mbetjet, Rama tha se “kur bashkia e Lezhës ngrihet dhe çon mbetjet në Bushat, nuk ka asnjë tjetër që të pretendojë se është larg apo se ka kosto më të rëndë sesa venddepozitimet ilegale. E kuptoj shumë mirë që në fazën e sezonit, bashkitë bregdetare duhet të përballojnë një volum eksponencialisht më të lartë në raport me mundësitë që kanë, por për çfarë përdoren paratë që jepen për administrimin mizerabël të plazheve? Ku shkojnë ato para dhe si shpjegohet se pasi u jepen plazhet në administrim privatëve, ata vendosin shezlonët, çadrat, vënë tarifat dhe rëra apo zalli në Himarë janë të ndotura. Në Himarë, që është destinacion me fluks të jashtëzakonshëm njerëzish në sezon, në darkë duhet të ecësh përmes kazanëve të mbushur me plehra e të bashkëjetosh me muzikën në kupë të qiellit dhe me erën e plehrave”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “ne do të vendosim një buxhet të veçantë për bregdetin në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe do të ndajmë barrën me ta”.

“Qeveria do të mbështesë financiarisht, por nëse kryetarët e bashkisë nuk bëjnë atë që bën kryetari i bashkisë së Lezhës, përsëri problemi nuk do të zgjidhet, por do të mbetet si pingpong. Në një nga plazhet më të bukura të bashkisë Himarë kanë bërë këtë verë fotografi ku kope me kuaj dhe pushues rrinë bashkë. Pushuesit në çadra dhe kuajt rreth e rrotull plehrave”, tha ai.

“Duhet të shkojmë t’i lutemi kryetarëve të Belshit, Cërrikut, Peqinit, Gramshit, Përrenjasit që të çojnë mbetjet në pikën e përpunimit, në vend që t’i hedhin rrugëve. Jam dëshmitar dhe viktimë si një nga qytetarët e shumtë që shkoj në Dhërmi në periudhën e pushimeve. Një pedonale që përshkohet në këmbë dhe sikur Jorgua të çohej vetë herët dhe ta merrte vetë rrugën me trastë në dorë i mblidhte vetë ato. Por shikoj unë mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi dhe pastaj vjen një dum-dum dhe bën sikur mbledh plehrat. Këto janë skena të jetuara në vetë të parë. Duke qenë se ju jeni të zgjedhur nuk bëj dot transferim të Pjerinit në Himarë dhe të çoja Jorgon në Lezhë. E para, nuk lejohet dhe e dyta, duhet të kemi dy Pjerinë dhe jo dy si Jorgoja”, shtoi Rama.

Po ashtu, Rama tha se zgjedhja e një operatori privat apo publik për pastrimin e plehrave është zgjidhje që secili bën vetë, pasi janë pjesë e autonomisë tuaj. Por te tarifat se mos  kujton njeri që të rrisni tarifat do të thotë t’ua rrisni pensionistëve e familjeve te faturat e ujit. Jo, duhet t’ua rrisni atyre bizneseve që ndotin më shumë”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se në mars Shqipëria do të ketë satelitin e saj në orbitë dhe një tjetër funksion i satelitit do të jetë edhe paraqitja e situatës me pastrimin në vend.

“Sateliti do të na tregojë në kohë reale situatën. Do të jetë pjesë e punës së satelitit informimi. Nuk do të ketë më nevojë për inspektorë. Të mos kemi më ndërmjetës. Pamjet do t’i keni në tavolinë. Por ama, as sateliti nuk na e pastron dot territorin”, tha Rama./Motilokal.com