Ministri Aliu: Asnjëri prej projekteve ujore të shqyrtuara nuk ka patur leje

Ministri Aliu: Asnjëri prej projekteve ujore të shqyrtuara nuk ka patur leje

Në ndërtesën e qeverisë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mbajti konferencë për media në lidhje me “Gjetjet e Raportit të Grupit Punues Për Projektet Kapitale në Fushën e Ujërave”.

Me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, përmirësimet të kualitetit të projekteve, shqyrtimit të procedurave financiare e teknike, dhe shqyrtimit të ligjshmërisë e çështjeve të tjera të rëndësishme lidhur me implementimin e projekteve, me datë 28.06.2021, me nr. prot 2543/21, është formuar grupi punues ministror (GP) për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga buxheti i MMPHI, me ç’rast janë evidentuar shumë mangësi procedurale e shkelje ligjore në fushën e ujërave gjatë periudhës 5 vjeçare (2016-2020/21).

Lidhur me rëndësinë e gjetjeve të grupit punues, Ministri Liburn Aliu shprehu: “Janë listuar gjithsej 142 projekte nga të cilat 27 prej tyre, janë trajtuar në mënyrë të hollësishme dhe për 10 prej tyre që kanë pasur vlerën mbi 400.000,00-Euro është bërë edhe shqyrtimi në teren. Shqyrtimi i lëndëve ka zgjatur deri më datë 30 Shtator, 2021. Në muajin Tetor është bërë dorëzimi i raportit.

Nga shqyrtimi i raportit del se ka pasur parregullsi në trajtimin e shumicës së këtyre projekteve të cilat mund të kategorizohen si në vijim:

Inicimi i projekteve ishte bërë në mënyrë ad-hoc duke mos ndjekur një proces të vlerësimit profesional të prioritizimit, të vlerësimit të kosto-përfitimeve dhe fizibilitietit të tyre. Për më tepër, shpeshherë inicimi i projekteve ishte bërë nga stafi politik i kabinetit të ish-Ministrit pa pasur dokumentacion projektues për zbatimin e projektit që do të duhej të jetë parakusht për inicimin e procedurave të prokurimit.

Kontraktimi i hartimit të dokumentacionit projektues ishte bërë përmes kontratës kornizë për afat 3-vjeçar dhe si rezultat i kësaj forme të kontraktimit kompania projektuese praktikisht e ka pasur monopolin e hartimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve për MMPH në periudhë e kaluar 10-vjeçare.

Në shumicën e rasteve të shqyrtuara Ministria kishte kryer pagesën për projektin ideor dhe për projektin kryesor edhe pse kishte pranuar vetëm një projekt të titulluar projekti kryesor dhe projekti ideor. Janë bërë pagesa jashtëzakonisht të larta për projekte shumë të dobëta dhe jashtë çdo standardi, p.sh. Projekti për pastrimin e Lumit Shtimjanja në vlerë 299 mijë EUR dhe kryerja e punëve, ka kushtuar më pak se hartimi i projektit, pra rreth 280 mijë euro. Ri-projektimi i sistemit të ujësjellësit Shipol-Brus-Skenderaj në vlerë 196 mijë EUR nuk është arsyetuar fare i cili në masë të madhe përmban të njëjtat zgjidhje teknike të projektit fillestar, veçse të paguar nga komuna.

Cilësia e dokumentacionit projektues për projektet e financuara nga MMPH apo të bashkëfinancuara me komunat është vlerësuar e dobët, qoftë në aspektin e përmbajtjes së tyre apo zgjidhjes teknike të projektuar. Projektet në shumicën e rasteve nuk përmbajnë elementet dhe fazat bazike që duhet t`i përmbajë një projekt i ujerave siç janë: (i) emrat e projektuesve, (ii) detyrën projektuese të elaboruar mirë, (iii) përshkrimin adekuat teknik me të cilin përshkruhet projekti me elementet e tij përbërëse si dhe zgjidhja teknike, (iv) përllogaritjet hidraulike, (v) studimin hidrologjik, hidromorfologjik, dhe të aluvioneve për rastet e rregullimit të lumenjve, (vi) planet adekuate të situacionit, (vii) profilet tërthore në pikat karakteristike, (viii) detajet konstruktive etj.

MMPH ka paguar shuma të larta të parave për projekte të pakompletuara dhe të cilësisë së dobët.

Pranimi i këtyre projekteve është nga një komision prej 3 anëtarësh (mbikëqyrësi i kompanisë projektuese, koordinatori i projekteve dhe menaxheri i projekteve),  të cilët nuk e kanë verifikuar madje as përmbajtjen e projektit e lëre më cilësinë e tij, por kanë konfirmuar vetëm pranimin e kopjeve fizike dhe elektronike të dokumentacionit projektues.

Asnjëri prej projekteve të shqyrtuara nuk ka pasur leje të ndërtimit, leje ujore e as leje mjedisore. Moszbatimi i procesit të aplikimit për dhe marrjes së lejes së ndërtimit ka pasur si konsekuencë mosshqyrtimin e dokumentacionit projektues nga autoriteti që do të duhej ta lëshonte lejen ndërtimore dhe verifikimin nga ky autoritet se projekti i përmban të gjitha elementet e kërkuara me legjislacionin e ndërtimit. Si pasojë e kësaj qasje ka ndodhur që të jenë financuar projekte në vlerë disa qindra mijë EURU për të cilat nuk ka pasur fare dokumentacion projektues (p.sh. projekti i Rregullimit të Përrockës në Hajvali me vlerë prej 380,290.40 €. Për më tepër janë dhënë 12,929.87€ për mbikëqyrje profesionale pa pasur projekt).

Mbikëqyrja teknike e punimeve është kryer zakonisht nga kompania e cila ka kryer hartimin e dokumentacionit projektues (INSI, Alb-Archtect). Me asnjë rast Grupit Punues nuk i janë vënë në dispozicion ditarët ndërtimorë dhe librat ndërtimorë si instrumente ligjore të domosdoshme në procesin e realizimit dhe mbikëqyrjes së një projekti. Ndryshimet në projekt nuk janë arsyetuar në ditarin ndërtimor dhe nuk janë paraqitur në projektin e gjendjes së zbatuar, ashtu siç kërkohet me ligj. Ndryshimet në projekt shpeshherë (si në rastin e Rregullimit të Lumit Marevc në vlerë prej 84,170.78 € për hartimin e projektit dhe 557,614.31 € për ndërtim) janë vendosur nga stafi politik në koordinim vetëm me Koordinatorin e Projekteve dhe Menaxherin e Projektit, pa ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen teknike të ndryshimeve të kryera si dhe pa analizuar impaktin financiar të ndryshimeve të projektit.

Certifikata e përdorimit nuk është lëshuar për asnjërin prej projekteve të financuara, që d.m.th. nuk është zbatuar Ligji për Ndërtim dhe Udhëzimi Administrativ për Mbikëqyrjen Inspektuese dhe Procedurën për Lëshimin e Certifikatës së Përdorimit.

Sipas Ligjit për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ, për çdo fazë të punimeve duhet të kryhet mbikëqyrja inspektuese dhe pas inspektimit final lëshohet certifikata e përdorimit. Në rastin e projekteve të financuara nga MMPH, është zhvilluar procedura e pranimit teknik nga një komision i Ministrisë ose komunës, procedurë kjo e cila nuk ka mbështetje ligjore, dhe e cila nuk e ka kryer funksionin esencial të verifikimit se punimet janë zhvilluar sipas projektit dhe se janë në përputhje me normat teknik.

Për më shumë Ministri Aliu shprehu: “Jashtë këtij grupi punues kemi edhe projektin e Digës së Kremenatës e cila ka një histori të vet, të cilën do ta publikojmë në uebfaqe. Mjafton të theksohet dhe ju ftojmë të shqyrtoni raportin e auditorit që ka gjet një mori shkeljesh ligjore dhe procedurale. Ky projekt veçse është dorëzuar në Prokurori.”

Ai njoftoi për hapat që ka marrë: “Raportin do ta dorëzojmë në njësinë e brendshme të auditimit të Ministrisë dhe në zyrën kombëtare të auditimit duke u bazuar në rekomandimin e tyre.

Ministria do të marrë hapat në përmirësim të proceseve që lidhen më fushën e projekteve të ujërave. Këta hapa do të lidhën me procedurat e zbatimit të projekteve në fushën e ujërave në mënyrë që të mos ketë përzierje të kompetencave me Ministrinë përgjegjëse për ujësjellës-kanalizim. Do të punojmë në rritjen e cilësisë përmes shtimit të kontrollit të kualitetit si në fazat e projektimit, zbatimit dhe operimit të projekteve./Motilokal.com