Dita Botërore e Efiçiencës së Energjisë – Një shans për të reflektuar në një kohë krize

Dita Botërore e Efiçiencës së Energjisë – Një shans për të reflektuar në një kohë krize

Sot në Ditën Botërore të Efiçencës së Energjisë, njohës të fushës apelojnë për më shumë ndërgjegjësim dhe sensibilizim të popullatës mbi nevojën e përdorimit të burimeve alternative të energjisë dhe përdorimin e tyre në mënyrë më të përgjegjshme.

Dita Botërore e Efiçencës së Energjisë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të përdorur burime energjie në mënyrë të përgjegjshme.

Efiçenca e energjisë është një nga politikat që synon të frenojë efektet e ndryshimeve klimatike dhe të promovojë zhvillimin e shoqërive të qëndrueshme. E gjithë kjo është bërë e mundur nëpërmjet përdorimit të energjisë së rinovueshme.

Sipas INDEP kjo datë, sivjet e gjen Kosovën me shumë sfida si në planin e politikave publike, ashtu edhe të zbatimit të masave të efiçiencës në përgjithësi. Ndonëse Kosova ka një intensitet të energjisë pothuaj dyfish më të lartë sesa vendet e BE-së, hapa të rëndësishëm përpara janë bërë në zbatimin e masave të efiçiencës dhe reduktimin e konsumit të energjisë në përgjithësi.

INDEP ka ndihmuar në vendosjen e efiçiencës së energjisë edhe në agjendën e vendimmarrësve, por edhe në qendër të diskursit publik.

“Në këtë datë të shënuar, i rikujtojmë Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera për detyrat që duhet kryer dhe hapat që duhet ndërmarrë në mënyrë që të përdoren më së miri mundësitë që ofron ajo. Fondi i Efiçiencës duhet të bëhet i qëndrueshëm përmes programeve të financimit që nxisin dekarbonizimin dhe ndryshimin e sjelljeve konsumatore. Ai duhet të zgjerojë portfolion për të mbuluar sektorin e biznesit dhe atë residencial. Duhet siguruar zbatim i plotë i legjislacionit për performancën energjetike në ndërtesa dhe të ketë zbatueshmëri të plotë për kërkesat minimale të efiçiencës për sektorin e ndërtimit dhe pajisjeve”, thotë INDEP.

Rimëkëmbja pas pandemisë dhe krizës së çmimeve të energjisë duhet të fokusohet në projekte të izolimit, ndërrimit të pajisjeve, eliminimit të varfërisë energjetike dhe fuqizimit të kapaciteteve për menaxhim të energjisë.

Dita Botërore e Efiçiencës së Energjisë duhet të shërbejë si frymëzim që efiçienca të jetë shtylla e parë e planifikimit të politikave në Strategjinë e Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe në legjislacionin horizontal që pritet të miratohet gjatë vitit 2022.

Efiçenca e energjisë nuk do të thotë të ndryshosh cilësinë e jetës, por do të thotë marrjen e të njëjtës sasi dhe shërbim të energjisë duke përdorur më pak burime.

Realiteti është se përfitimet nga efikasiteti i energjisë rezultojnë në rritjen e mirëqenies për qytetarët, rritjen e sigurisë, dhe një përfitim për mjedisin me kursime të konsiderueshme në emetimet e dioksidit të karbonit, CO2./Motilokal.com